U mbyt në liqenin e Ulzës dy ditë më parë, gjendjet trupi i 37-vjeçarit

DIBËR- Pas 48 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i 37-vjeçarit Armando Zajsi, i cili u mbyt në ujërat e liqenit të Ulzës pasditen e së hënës. Trupi i të riut u lokalizua këtë të mërkurë falë ndërhyrjes së një droni nënujor të Forcave Detare.

Palombarët e forcave RENEA kryen zhytjen në thellësinë 37 metra, ku kishin pikasur trupin, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij në sipërfaqe. Në operacionin e kërkim-shpëtimit morën pjesë forca të shumta të Forcave të Armatosura, RENEA-s dhe strukturave të mbrojtjes civile të Bashkisë Mat.

Trupi i viktimës është dërguar në morg për ekspertizën mjekoligjore, për t’u dorëzuar më pas familjarëve për ceremoninë e lamtumirës. 37-vjeçari, i cili jetonte dhe punonte prej vitesh në Itali, kishte ardhur në atdhe për të kaluar kohë me të afërmit.

Ngjarja tragjike ndodhi ndërsa ai ndodhej në një restorant në zonë. Sipas dëshmive, Zajsi hyri në ujë me një mjet lundrues, jetski. Pas një rrëzimi nga mjeti, ai tentoi të kthehej në breg duke notuar, por dyshohet se ka humbur ndjenjat dhe është zhytur në thellësi.