I sëmuri me kancer i bashkohet protestës kundër Ramës: S’e kemi luksin të presim!

TIRANË- Një nga protestuesit që prej 17 ditësh është pjesë e tubimeve para Kryeministrisë ka mbajtur një fjalim emocionues, duke deklaruar se beteja e tij nuk është vetëm kundër sëmundjes personale, por edhe kundër asaj që ai e cilësoi si padrejtësi dhe korrupsion.

Protestuesi tha se prej tre vitesh po përballet me kancer, ndërkohë shtoi se pavarësisht betejës shëndetësore do të vazhdojë të jetë pjesë e protestës. Ai deklaroi se nuk do të largohet nga sheshi dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës. Gjatë fjalimit tij, ai kërkoi mobilizim qytetar, duke theksuar se ndryshimi kërkon sakrificë dhe pjesëmarrje.

“Vëllezër shqiptarë, sot nuk jam këtu për të kërkuar mëshirë, jam këtu për të kërkuar drejtësi. Prej 17 ditësh jam mes jush kundër një pushteti që i ka marrë frymën këtij populli. Sot po ju flas si një njeri që prej tre vitesh lufton me kancerin. Trupi im është në luftë me sëmundjen, por shpirti im është në luftë me një kancer më të madh, me padrejtësinë, korrupsionin dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Nëse unë, me plagë, qëndroj këtu ditë e natë, ju pyes, çfarë na pengon të ngrihemi të gjithë? Që sot unë nuk do të largohem nga ky shesh. Do të jem këtu ditë e natë, derisa ta dëgjojnë zërin tonë. Nuk ka më luks të pres, as Shqipëria nuk ka luks të presë. O sot të ngrihemi, se nesër do të jetë tepër vonë. Ejani me mua. Mos u trembni, ky plehra nuk jep dorëheqjen kurrë nëse nuk rrimë këtu. Shqipëria nuk shpëtohet me frikacakë, por me ata që sakrifikojnë,” tha ai