U fut në kurth nga një femër/ “Paguaj 2 milionë lekë ose do ti dërgojmë foto gruas”. Prokuroria përfundon hetimet për tre burra dhe vajzën

“Paguaj 2 milionë lekë se jam në rrezik”,ka qenë telefonata e Edvar Agalliut ndaj bashkëshortes, e cila ngriti alarmin për rrëmbimin e tij, ngjarje e ndodhur më 30 prill 2025 në Tiranë.

Pas telefonatës, motra e të rrëmbyerit ka bërë denoncimin në polici për marrjen peng të të vëllait nga tre personat, Sulejman Sina, Idajet Mashollari dhe Kinton Sina, me ndihmën e Nikoleta Begollit.

Planifikimi i rrëmbimit

Edvar Agalliu ishte në afërsi të shkollës pedagogjike Tiranë nën shoqërinë e Nikoleta Begollit, njëkohësisht bashkëjetuese e Sulejman Sinën, kur tre të rinjtë mbërritën në vendngjarje me një automjet tip Golf të zi.

Ata i janë afruar 68-vjeçarit dhe e kanë futuar me forcë në mjet ku i kanë vendosur edhe një kapuç në kokë.

Më pas, e kanë dërguar në një vend tjetër, të largët dhe pasi e kanë futur në një banesë të vjetër, i kanë lidhur duart dhe i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë lekë, me pretendimin se Edvar Agalliu kishte ngacmuar Nikoleta Begollin.

Tre të akuzuarit kanë komunikuar në telefon me bashkëshorten e të rrëmbyesit, shtetasen me iniciale M. A., e cila iu dërgoi të dyshuarve shumën e parave.

Të katër të pandehurit mësohet se kërcënuan Edvar Agalliun duke i thënë se nëse pagesa nuk do të kryhej, atëherë ata do t’i dërgonin fotot e tij dhe të Nikoleta Begollit bashkëshortës së tij, për t’i shkatërruar familjen e më pas do ta vrisnin.

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq të pandehurit, Sulejman Sina, Idajet Mashollari dhe Kinton Sina, si edhe Nikoleta Begollin, pasi akuzohet si vajza që futi në kurth Edvar Agalliun.

Njoftimi i Prokurorisë Tiranë:

Rrëmbyen një person me qëllim fitimin e pasurisë, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 4 persona përfshirë edhe vajzën që e futi në kurth.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq katër shtetasit S.S., I.M., K.S., dhe N.B. për veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2978, të regjistruar më 30.04.2025, nisën pas kallëzimit të shtetases A.V., e cila denoncoi se vëllai i saj shtetasi E.V. ka marrë bashkëshorten në telefon ku i kërkonte të paguante sa më shpejt 2 milionë lekë pasi ishte në rrezik për jetën dhe vetëm kështu mund të kthehej në shtëpi.

Nga hetimet, rezultoi se shtetasit S.S., N. B., I. M. dhe K.S. planifikuan rrëmbimin e shtetasit E. A. dhe e kanë realizuar atë me qëllim fitimin e pasurisë. Hetimet provuan se ata në afërsi të shkollës pedagogjike Tiranë, në momentin që shtetasi E.V. ka qenë me shtetasen N.B., janë afruar një mjet tip Golf, me ngjyrë të zezë dhe me forcë e kanë futuar atë në mjet ku i kanë vendosur edhe një kapuç në kokë, dhe e kanë çuar dhe në një vend tjetër, të largët.

Pasi e kanë futur në një banesë të vjetër, i kanë lidhur duart dhe i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë lekë, me pretendimin se shtetasi E. A, kishte ngacmuar shtetasen N.B. (bashkëjetuesja e shtetasit S.S). Më pas tre të dyshuarit kanë komunikuar në telefon me bashkëshorten e të dëmtuarit/viktimës, shtetasen M. A., e cila iu dërgoi të dyshuarve shumën e parave.

Të katër këta persona e kërcënuan shtetasin E.A. duke i thënë se nëse pagesa nuk do të kryhej, atëherë ata do t’i dërgonin fotot e tij dhe të shtetases N.B., bashkëshortës së tij, për t’i shkatërruar familjen dhe më pas do ta vrisnin.

Në përfundim të hetimeve, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se shtetasit S.S., N.B., I.M. dhe K.S. kanë konsumuar veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal, e cila parashikon se; rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.