Tufa me ujqër dalin nga “kafazi”, kopshti zoologjik mbyllet përkohësisht

Një kopsht zoologjik në Francë është mbyllur përkohësisht, pasi një tufë me nëntë ujqër u larguan nga zona e tyre e rrethimit të sigurisë, gjatë orarit të vizitave.BBC shkruan se ujqërit  shkatërruan gardhin e sigurisë, duke qarkulluar të lirë në kopshtin zoologjik.

Për fat të mirë asnjë vizitor nuk u lëndua nga ujqërit, ndërsa autoritetet njoftojnë se kafshët nuk arritën të dalin nga kopshti zoologjik.

“Katër ujqër u qëlluan për vdekje për sjellje të rrezikshme”, tha zyrtari lokal Fabien Chollet për agjencinë e lajmeve AFP.

Pesë të tjerët u kthyen në ambientet e tyre dhe u anestezuan nga zyrtarët lokalë që ishin thirrur në vendngjarje.

“Nuk kishte shumë njerëz në kopshtin zoologjik në atë kohë dhe në asnjë moment vizitorët nuk ishin  në rrezik,” tha zoti Chollet.