Pogradec, 7 Qershor 2025 – Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin e Pogradecit ditën e sotme, pasi 20-vjeçari Guido Dervishllari, fotograf dhe videomaker i Bashkisë Pogradec, u gjet i vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40, kur banorët e zonës zbuluan trupin e të riut dhe njoftuan menjëherë familjen dhe policinë lokale. Guido ishte një djalë i njohur për energjinë, buzëqeshjen dhe kreativitetin e tij, i cili për pak kohë kishte lënë gjurmë në komunitet si fotograf shumë i kërkuar dhe pjesëmarrës në realizimin e projekteve të ndryshme filmike.
Miqtë dhe kolegët e tij kanë ndarë dhimbjen e madhe në rrjetet sociale, duke e përshkruar Guido-n si një person të dashur, të papërtuar dhe shumë punëtor, që gjithmonë ishte pranë shokëve dhe familjes së tij të dytë në Bashkinë e Pogradecit.
Reagimi i Bashkisë Pogradec:
“Guido ishte plot jetë dhe energji, një djalosh që i jepte ngjyrë çdo dite me praninë dhe talentin e tij. Humbja e tij është një trishtim i thellë për të gjithë ne. Do të na mungosh shumë, Guido. Qoftë prehja jote në paqe e përjetshme.”
Hetimet janë në vijim për të zbardhur shkaqet që e shtynë këtë të ri drejt këtij vendimi tragjik.
