Transferimi në burgun e Fierit: Ish-zyrtarët nuk kanë kontakt me asnjë të burgosur

Vendimi për t’i transferuar ish-zyrtarët e shtetit nga paraburgimi i Durrësit në Fier është marrë të hënën. Transferimi i tyre sipas burimeve ka përfunduar mbrëmjen e së martës.

Ata janë vendosur në një nga godinat e paraburgimit që është rikonstruktuar dy javë më parë. Në këtë sektor ka gjithsej 18 dhoma, dy janë teke dhe të tjerat dyshe. Veç dy godinave të paraburgimit, ky institucion i vuajtjes së dënimit ka edhe dy godina të tjera ku qëndrojnë të dënuar me formë të prerë.

Ish-zyrtarët qëndrojnë në një sektor të posaçëm pa kontakt me të burgosur të tjerë. Gjithashtu burimet thanë se institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier është i pajisur me kamera sigurie, 500 gjithsej të vendosura në ambientet e brendshme dhe ato të jashtme. Disa prej tyre sipas burimeve nuk kanë qenë funksionale deri pak ditë më parë.

10 ish-zyrtarët e shtetit u transferuan me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas ngjarjes së rëndë në burgun e Peqinit ku u vra Arben Lleshi nga një tjetër i dënuar, Sokol Mjacaj.

Burgu i Fierit nisi të ndërtohej me fondet e Bashkimit Europian në 2007 dhe përfundoi në vitin 2012. Kapaciteti i tij është për 650 persona.