TRAJTIMI I FËMIJËVE JASHTË SHTETIT/ Qytetarët nënshkruajnë 6000 firma në një muaj për nismën ligjore qytetare

Mungesa e trajtimit shëndetësor për një fëmijë brenda vendit ka nxitur një nismë ligjore qytetare.Qëllimi është mbështetje për trajtimin e fëmijëve jashtë Shqipërisë, kur sistemi vendas nuk ofron zgjidhje.Nisma parashikon që shteti të mbulojë financiarisht trajtimin në klinika jashtë vendit.në rastet kur mungojnë kapacitetet në sistemin publik.

Të gjithë fëmijët që kanë sëmundje të veçanta e që për kurimin familjet nuk kanë të ardhura dhe kur shteti nuk ua siguron krijohet një dritare shprese.

Aktivistët janë bërë bashkë në një nismë ligjore qytetare për tu ardhur në ndihmë për mjekimin jashtë vendit. Kjo përfshin vetëm rastet kur trajtimi është i pamundur në spitalet shqiptare.

Për funksionimin e nismës do të duhet dhe miratimi në parlament, veprim për të cilin kanë nisur mbledhjen e firmave nga qytetarët.

Një grup juristësh ka punuar për hartimin e draftit.

Objektivi është mbledhja e 20 mijë firmave brenda tre muajve. Organizatorët thonë se përballen me sfida logjistike për shpërndarjen dhe rikthimin e formularëve në të gjithë vendin por shtojnë se kanë shpresa të mëdha pasi interesi i qytetarëve është në rritje.