Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjakovë të Kosovës, ku dy punëtorë ndërtimi kanë ndërruar jetë.
Mësohet se dy burra kanë rënë nga një lartësi e objektit që ka qenë duke u ndërtuar dhe nuk kanë mundur t’i përballojnë plagët e marra. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është bërë e ditur se janë duke u kryer hetime për zbardhje të rastit.
Në të kaluarën udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë shprehur të shqetësuar me, siç kanë thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për vitin 2024, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës.
