Elbasan, 18 Korrik 2025 – Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Labinot-Fushë, ku dy fëmijë të mitur, vëllezër 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën pasi u mbytën në lumin Shkumbin.
Sipas informacioneve paraprake, fëmijët ndodheshin pranë lumit së bashku me një familjare të tyre, duke ruajtur bagëtitë. Në një moment ata kanë hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë e ujit dhe mungesa e masave të sigurisë kanë bërë që ata të mos arrijnë të dalin më në breg.
Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës janë përpjekur t’i shpëtojnë, por trupat e pajetë janë gjetur pak më vonë, në një kanal të lumit, më poshtë nga vendi i ngjarjes.
Tragjedia ka tronditur thellë komunitetin e fshatit, ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar emocionale. Të afërm dhe bashkëfshatarë kanë shprehur dhimbje të thellë për humbjen e dy jetëve të vogla.
Autoritetet vendore dhe Policia kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që kërkohet rritja e masave të sigurisë pranë zonave ujore, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur fëmijët janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve.
Elbasan/Informacion paraprak
Në fshatin Labinot Fushë, dyshohet se janë mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç (vëllezër).
Trupat e pajetë po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave.
