Tramvaji del nga shinat në Milano dhe përplaset me një ndërtesë, një i vdekur dhe disa të plagosur
MILANO- Një aksident tragjik ka ndodhur ditën e sotme në Milano. Bëhet me dije se një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një ndërtesë dhe si pasojë, një person ka humbur jetën ndërsa 25 të tjerë janë plagosur.
Mësohet se viktimë ka mbetur një burrë, i cili është përplasur nga tramvaji. Sipas raportimeve fillestare, tramvaji doli nga shinat, duke u përplasur në një ndërtesë dhe duke goditur disa persona.
Konkretisht, aksidenti ka ndodhur pak pas orës 16:00 në Viale Vittorio Veneto. Një nga pasagjerët ka rrëfyer se fillimisht ka menduar se gjithçka po ndodhte si pasojë e një tërmeti.
“Mendova se ishte tërmet. Isha ulur dhe rashë në dysheme, së bashku me pasagjerët e tjerë. Ishte e tmerrshme. Për fat të mirë, godita vetëm gjurin, por burri pranë meje po i rridhte gjak nga koka. Më duhej pak kohë të ngrihesha dhe të zbrisja”, tha për ANSA-n një nga pasagjerët.













