Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pirg të Korçës, ku një 14-vjeçar ka ndërruar jetë pas një konflikti me një bashkëmoshatar.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, ngjarja u shënua rreth orës 17:30, në ambientet e një lokali, ku dy të mitur janë përfshirë në një përplasje fizike që dyshohet se është zhvilluar me mjet prerës (thikë).
Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej të miturve, me inicialet E. Xh., ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ndërkohë, 14-vjeçari tjetër, i dyshuari kryesor për ngjarjen, është gjithashtu i plagosur dhe po merr ndihmë mjekësore nën mbikëqyrjen e Policisë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij konflikti të rëndë mes të miturve.
