Tragjedi familjare në Maliq – Vdes edhe djali 14-vjeçar, nëna kishte ndërruar jetë më herët nga zjarri. 6-vjeçari në gjendje kritike

Maliq, 19 tetor 2025 – Thellohet tragjedia në qytetin e Maliqit, ku pas një zjarri që përfshiu banesën e një familjeje në bllokun nr. 3, ka ndërruar jetë edhe djali 14-vjeçar i familjes, ndërsa më herët kishte humbur jetën nëna, Merjeme Azislari, 38 vjeçe.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në banesën e shtetasit V. A., ku flakët përfshinë papritur ambientet e shtëpisë. Brenda ndodheshin nëna me dy fëmijët e mitur, 14 dhe 6 vjeç, të cilët u nxorën nga banesa nga shërbimet zjarrfikëse dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës.

Fatkeqësisht, fillimisht humbi jetën nëna si pasojë e asfiksisë, ndërsa mbrëmjen e sotme ka ndërruar jetë edhe djali i saj adoleshent. Fëmija tjetër, vetëm 6 vjeç, ndodhet në gjendje kritike dhe po trajtohet intensivisht nga mjekët.

Të dy fëmijët dyshohet se vuanin nga çrregullimi i spektrit autik, çka e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë dhe më të dhimbshme për opinionin publik dhe komunitetin lokal.

Zjarri është shuar nga forcat zjarrfikëse, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të përcaktuar shkaqet e rënies së flakëve dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.