SHKODËR – Një person ende i paidentifikuar ka tentuar të grabisë një filial të Postës Shqiptare në qytetin e Shkodrës, mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, autori është futur brenda ambienteve të postës dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash, por pa sukses. Gjatë largimit nga vendngjarja, ai ka thyer xhamin e sportelit.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kontrollet në zonë për kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e personit përgjegjës dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë dhe se do të ketë informacion të mëtejshëm në vijim.













