Tensionohet situata para Kuvendit, protestuesit sjellin kosha plehrash: Këtu e keni vendin, Parlamenti në kosh! (VIDEO)

Ndërsa në Kuvend po zhvillohet seanca e radhës plenare, jashtë godinës janë mbledhur një grup protestuesish në një tubim të paralajmëruar një ditë më parë, pas protestës së përnatshme te Kryeministria.

Protestuesit kanë thirrur në kor “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa kanë kërkuar edhe anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

Gjatë protestës situata është tensionuar, ku janë raportuar përplasje mes disa pjesëmarrësve, si dhe akuza ndaj një personi të pranishëm si “patronazhist”. Po ashtu janë shënuar ofendime dhe sharje mes protestuesve.

Në një moment, disa prej tyre kanë hedhur sende drejt makinave të parkuara pranë Kuvendit, duke rritur tensionin në zonë. Protestuesit kanë sjellë gjithashtu kosha mbeturinash, duke e përshkallëzuar më tej situatën në protestë.

“Këtu e keni vendin”, ishin disa prej thirrjeve të forta që erdhën nga protestuesit, apo dhe “Parlamenti në kosh!” apo dhe “Rama n’kosh, Berisha n’kosh’.