Meta letër avokatit Çakrani: Punën dorëzojeni te Blushi, motra ime do diskutojë detyrimet financiare

TIRANË- Ish- presidneti Ilir Meta ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit profesional me avokatin Kujtim Cakrani.

Sipas letrës së bërë publike nga Tedi Blushi, ish-presidenti kërkon një avokat i cili t’i dedikohet ekskluzivisht dhe plotësisht çështjes së tij, pa u shpërqendruar nga angazhime të tjera.

Në letër, Meta shkruan se, çështjet ekonomike dhe pagesat për punën e kryer deri në këtë moment nga avokati Cakrani, do të ndiqen përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë me motrën e ish-presidentit.

Letra e Metës:

“I nderuar z. Avokat, Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara ndërkohë që ngarkesa e çështjes time jo vetëm në themel, por edhe për Gj.E.D.NJ kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën.

Për punën që keni bërë deri tani kërkoj mirëkuptimin tuaj që t’ia dorëzoni z. Tedi Blushi. Ndërsa motra e ime është e autorizuar të diskutojë me ju për ekzekutimin e detyrimeve të mia financiare për mbrojtjen tuaj.

Për korrektesë dhe nisur nga urgjenca e marrjes së dokumentacionit procedural penal nga Gj.K.K.O për efekt të ndjekjes së çështjes time në Gj.E.D.NJ, jam i detyruar t’ju njoftoj për këtë ndryshim të mbrojtjes time edhe Gj.K.K.O. Me konsideratën time të veçantë, Ilir Meta”, shkruhet në letrën e firmosur prej Metës.