Janë zbardhur emrat e tre autorëve të atentatit në Rrilë të Lezhës mbrëmjen e djeshme (1 shkurt), ku dyshohet se shënjestër ishte 21-vjeçarit Merando Nikulaj.
Burime bëjnë me dije se autorët janë: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka.
Nga hetimet e deritanishme, është bërë e ditur se 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, ka qenë në shoqërinë e efektivit të patrullës së përgjithshme Besart Kovaçi, i cili u ndalua mbrëmjen e sotme për moskallëzim krimi.
Në armën e policit janë gjetur 15 plumba dhe në pistoletë 5 plumba, duke treguar se Kovaçi ka qëlluar 10 herë.
Hetimet po verifikojnë gjithashtu mundësinë e përdorimit të një arme të tretë.
Dyshohet se Nikulaj ka mbetur i plagosur, por nuk është paraqitur në spital.
Plagosja ndodhi mbrëmjen e kaluar në qendër të fshatit Rrilë, ku autoritetet mbërritën disa minuta pas një breshërie plumbash mbi një dyqan.
Si pasojë, u plagos Sokol Daci, 30 vjeç, i cili ndodhej brenda ambienteve të berberhanes. Fasada e dyqanit është dëmtuar rëndë nga breshëria e plumbave.
30-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Lezhës dhe më pas në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar.
Policia sqaron se hetimet për zbardhjen e plotë ligjore të ngjarjes vijojnë intensivisht dhe për momentin nuk mund të jepen detaje të tjera.













