Stuhitë e dëborës/ Situatë kritike në qarkullimin e automjeteve në aksin Qafë Thanë -Librazhd

Stuhitë e dëborës dhe temperaturat e ulta kanë shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve në rrugën kombëtare Qafë Thanë-Prrenjas-Librazhd.

Shumica e autoveturave që po qarkullojnë në këtë rrugë dhe që udhëtojnë drejt Tiranës rezultojnë se nuk kanë goma dëmërore dhe zinxhirë.

Policia rrugore e dislokuar me forca të shtuara në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge ku rradhët e krijuara janë kilometrike është duke bërë gjithçka për të normalizuar situatën por drejtues të papërgjegjshëm automjetesh janë kthyer në problem shpesh herë me tentativat për parakalime duke sjellë bllokime të qarkullimit në disa segmente.Krijimi i rradhëve po shkakton bllokimin e qarkullimit edhe të borëpastruesve dhe mjeteve që mirëmbajnë rrugën nga Qafë Thana në Librazhd.

Situata paraqitet kritike në tre segmente, përkatësisht në Qafë Thanë ,Pishkash e Qukës.

Me gjithë punën e bërë mjetet e mirëmbajtjes e kanë pasur të pamundur ta mbajnë aksin lehtësisht të qarkullueshëm.

Situata pritet të rëndohet gjatë natës për shkak të ngricave.