Stuhi e fortë shiu përfshin Elbasanin, përmbyten rrugë dhe dëmtohen të mbjellat

ELBASAN – Një stuhi e fortë shiu përfshiu pasditen e së premtes qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth, duke shkaktuar përmbytje të përkohshme në disa akse rrugore dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Reshjet e dendura bënë që uji të vërshojë në rrugë, ndërsa në disa zona u raportuan probleme me lëvizjen si pasojë e grumbullimit të ujit.

Sipas raportimeve paraprake, moti i keq ka shkaktuar edhe dëme në bujqësi, duke prekur kryesisht kulturat drufrutore dhe vreshtat.

Ky është një tjetër episod i motit ekstrem që ka goditur qarkun e Elbasanit gjatë ditëve të fundit. Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara në disa raste edhe me breshër, kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në sektorin bujqësor, veçanërisht në zonat rurale më të prekura.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.