TIRANË- Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me skandalin e dhënies së diplomave false nga Kolegji Universitar WISDOM kundrejt shumave që varionin deri në 8 mijë euro. Në këtë dosje gjithashtu përmendej edhe emri i Kushit, ndërsa ajo ka mohuar të ketë marrë ndonjë dhuratë nga pronari dhe administratori i WISDOM, të dy të arrestuar.
Kushi më tej nënvizon se MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit. Akreditimi i institucioneve arsimore, thotë më tej Kushi, bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa media gjatë ditës së sotme, mbi hetimet e dosjes italiane për mashtrimet me diploma të Universitetit Wisdom, dua t’ju sqaroj se:
Në dosje ka një paragraf ku thuhet:
“Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes për amabasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.
Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit.
Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur. Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla.













