ITALI- Familjarët e Saimir Gjokës, shqiptarit që humbi jetën në një aksident në Itali kanë bërë një denoncim se çështja po mbyllet pa gjetur fajtorin e shkakut të aksidentit. Mediat italiane shkruajnë se motra e tij, vëllai i tij dhe gruaja e 38-vjeçarit me anë të avokatëve të tyre paraqitën një kundërshtim ndaj kërkesës së prokurorit për të pushuar çështjen.
Sipas familjarëve ekzistion një dëshmitar okular që ka parë të gjithë ngjarjen dhe mund të të ndihmojë në zbardhjen e saj.
“Ne thjesht kërkojmë të vërtetën, ne kërkojmë drejtësi. Vëllai im vdiq në një aksident të tmerrshëm atë natë, megjithatë shoferi iku nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë, por edhe pa vuajtur pasojat e aktit të tij të rëndë; ai u ‘fal’ nga ligji. Ne kërkojmë që të kryhet një hetim, pasi ka një dëshmitar okular gati të rrëfejë atë që pa atë mbrëmje”, tha ajo.
E kaluara e Gjokës ishte e lidhur me veprimtari të paligjshme, por sipas motrës së tij, edhe pse kishte bërë “disa marrëzi”, Saimiri e kishte shlyer dënimin dhe më pas kishte nisur një rrugë tjetër jete.
“Ishte në pritje të lejes së qëndrimit dhe kishte një kontratë të rregullt pune. Nuk arrij të jetoj e të vazhdoj përpara kur mendoj se ai person nuk i dha ndihmë, nuk telefonoi 118-ën dhe nuk bëri asgjë për të tentuar një shpëtim të mundshëm. Dua të di se çfarë ose kush e shkaktoi një aksident kaq fatal në një autostradë me katër korsi, plotësisht bosh në atë moment,” u shpreh gruaja e tij














