Shqiptari plagos grekun me pistoletë ajrore, arrestohet

Greqi, 30 mars 2026 – Policia në Volos ka arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, i dyshuar për plagosjen e rëndë të një personi gjatë një konflikti.

Sipas autoriteteve, i riu akuzohet se ka shkaktuar lëndime serioze trupore, duke dëmtuar në sy një shtetas vendas, pasi e ka qëlluar me një pistoletë ajrore gjatë një debati.

I dyshuari u lokalizua dhe u arrestua gjatë orëve të natës, ndërsa lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një kartëmonedhë 50 euro të dyshuar si të falsifikuar.

Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij janë zbuluar armë të ftohta dhe sasi lëndësh narkotike.

Referuar mediave greke, përfshirë Protothema, ndaj 27-vjeçarit është ngritur çështje penale, përfshirë akuzat për lëndime të rënda dhe qarkullim të monedhave të falsifikuara.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.