FRANCË- Detaje të reja vijojnë të dalin nga ngjarja e rëndë në familjen shqiptare në Francë, ku Andon Janaqi vrau bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës. Lidhur me ngjarjen ka folur edhe motra e tij, e cila ka bërë një apel publik për institucionet shqiptare.
Ajo ka treguar edhe bisedën e fundit me Andonin një ditë para tragjedisë. Motra gjithashtu ka treguar se familja nuk kishte dijeni për konflikte të rënda mes çiftit. Ajo theksoi se familja nuk ka komunikim me të afërmit e nuses dhe nuk dëshiron të ketë pas ngjarjes së rëndë.
“Unë dua që vëllain ta sjellin këtu. Ne nuk kemi kushte, mamaja nuk ka më një rrogë, i ka larë borxhet. S’ka ç’bëjmë vetë. Nuk duam gjë tjetër, vetëm vëllain ta sjellim në Shqipëri. Fola dje me të. Më tha ‘jam mirë, po dal një xhiro se jam shumë i stresuar’. Ishte me ankth, i trembur.
Më tha ‘flasim më vonë’, por nuk më telefonoi më. E mora disa herë, nuk ma hapi. Sot na erdhën dhe na thanë se kishte vdekur. Na thanë vetëm: ‘bëhuni të fortë’. Kaq. Sa herë që flisnim, thoshte ‘mirë jemi, mos ki merak’. Ka dy fëmijë… tani thonë se do t’i marrë shteti. Ne duam t’i marrim këtu fëmijët, një ta marrim ne dhe një gjyshja tjetër. I kemi fëmijët të plagosur në zemër. Ata janë 9 dhe 3 vjeç”, tha ajo













