SARANDË – Një incident i rëndë me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur gjatë orëve të pasdites në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë. Shpërthimi i fuqishëm në ambientet e pikës së karburantit “Ano Oil” tronditi lagjen dhe alarmoi banorët e zonës.
Të plagosurit janë identifikuar si Fatmir Pema, 39 vjeç, dhe Florian Bica, 27 vjeç, të dy me origjinë nga qyteti i Elbasanit.
Lajmi konfirmohet për Elbasanion nga një kushëri i tyre i cili i shkroi redaksisë.
Të dy personat ishin të punësuar si teknikë mirëmbajtjeje dhe kishin shkuar në Sarandë për të kryer punimet e nevojshme teknike me qëllim rihapjen e objektit.
Sipas verifikimeve të para nga grupi hetimor, pika e karburantit kishte qëndruar e mbyllur prej rreth tre muajsh. Në momentin e shpërthimit, dy teknikët po përdornin një mjet prerës (troko) për montimin e strukturave metalike. Dyshohet se shkëndijat e gjeneruara nga mjeti prerës kanë rënë në kontakt me avujt e mbetur të karburantit në tubacione ose tanke, duke shkaktuar shpërthimin e menjëhershëm.
Si pasojë e valës goditëse dhe flakëve, 39-vjeçari Fatmir Pema ka pësuar djegie të shkallës së dytë në trup, ndërsa 27-vjeçari Florian Bica ka pësuar tronditje të fortë akustike dhe dëmtime nga përplasja. Të dy janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ekspertët xhenierë dhe hetuesit e policisë po vazhdojnë këqyrjen e vendngjarjes për të përcaktuar nëse janë respektuar rregullat e mbrojtjes në punë dhe standardet e sigurisë teknike.




