Shoqërohet një i dyshuar për atentatin ndaj Edmond Hykës, policia kontrollon banesën në Lezhë

ELBASAN, 1 DHJETOR 2025 – Hetimet për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mahalla, kanë marrë sot një zhvillim të ri, pasi Policia e Elbasanit shoqëroi një person të dyshuar për lidhje të mundshme me atentatin.

Burime zyrtare bënë të ditur se një shtetas me inicialet N.Gj., banues në Lezhë, u ndalua mbrëmjen e sotme teksa po largohej nga Shqipëria. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka përdorur një automjet tip “Audi” që hetuesit e konsiderojnë pjesë të skemës së atentatit ndaj Hykës.

Pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë Rrugës së Kombit e kanë regjistruar automjetin në momentin e kryerjes së pagesës në traut e autostradës. Personi i shoqëruar është identifikuar duke përdorur të njëjtën makinë që më pas u lidh me ngjarjen nga grupi hetimor.

Ndërkohë, forcat e policisë janë duke ushtruar kontroll në banesën e tij në Lezhë, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ekzekutimit të ndodhur pak ditë më parë në Elbasan.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa policia dhe prokuroria po punojnë për të sqaruar rolin e mundshëm të N.Gj. dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në atentat.