Sherri për karrigen, drejtori godet me shpullë zyrtaren

Një konflikt për një karrige në ambientet e punës ka degjeneruar në dhunë fizike mes dy zyrtarëve në Bulqizë. Drejtori i Kujdesit Shëndetësor, Juljan Damzi, 40 vjeç, është vënë nën hetim pasi akuzohet se ka goditur me shuplakë 26-vjeçaren Shime Doda, drejtuese e Task Forcës pranë Ujësjellës Kanalizimeve Dibër (UKD).

Sipas dëshmisë së Dodës, përplasja nisi pas një debati me bashkëshorten e Damzit, Erla Damzi, e cila pretendoi se kishte urdhër për të marrë disa tavolina dhe një karrige të dëmtuar. Doda thotë se për shkak të karriges së prishur, iu kërkua të paguante 15 mijë lekë të reja. Pas kësaj, në ambientet e zyrës ka mbërritur vetë Juljan Damzi, i cili sipas deklarimeve, e ka shtyrë dhe e ka goditur me shuplakë, duke tentuar ta sulmojë sërish edhe pasi ndërhynë punonjësit e tjerë të institucionit.

Policia ka bërë me dije se materialet në ngarkim të Damzit janë referuar në Prokurori për procedim penal për “goditje për shkak të detyrës”. Hetimet për ngjarjen po vijojnë.