Sherr mes adoleshentësh, njëri qëllohet me thikë, përfundon në spital

KORÇË- Dy adoleshentë janë konfliktuar duke agravuar deri në dhunë fizike. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në afërsi të gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në lagjen nr.10 në Korçë. Sipas informacioneve paraprake, dy të rinjtë janë konfliktuar për motive banale mes adoleshentëve, të cilët kanë goditur njëri-tjetrin me grushta teksa njëri prej tyre ka marrë dëmtime më të rënda në fytyre.

Bëhet me dije se adoleshenti i dëmtuar, ndodhet në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Polica ndërkohë, ka shoqëruar adoleshentin tjetër në komisariat.

Njoftimi i Policisë:

Korçë/Informacion paraprak Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.

16-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar me automjet. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.