Shërbimi Metereologjik Meteoalb thotë se pritet që stuhitë e Atlantikut të cilat këto ditë kanë goditur Gadishullin Iberik duke shkaktuar përmbytje katastrofike dhe viktima, në mes të nëntorit të godasin edhe Shqipërinë.
Meteorologia e Meteoalb, Tanja Porja, duke iu referuar të dhënave prognozë thotë se reshjet me intensitet të lartë dhe rrebeshet që do të prekin Shqipërinë dhe vendet e rajonit rrezikojnë të sjellin përmbytje.
Shirat e dendur priten nga data 12 nëntor dhe pritet të zgjatin 3 ditë. Ato do të përfshijnë fillimisht Italinë e jugut e menjëherë më pas edhe vendin tonë.
Reshjet me intensitet të lartë deri 70 mm do të priten jo vetëm në Shqipëri por edhe Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi.
“Shqipëria dhe 3 vendet fqinje pas datës 10 nëntor priten të përballen me stuhi intensive dhe rrebeshe që e gjejnë territorin të thatë dhe kjo bën që mundësia të absorbohen është shumë e vogël dhe kjo rrit riskun për përmbytje”.
Reshjet e dendura sjellin ankth pasi ato që përfshinë së fundi Spanjën shkaktuan katastrofë me dhjetëra të vdekur në Valencia.
Foto: Valencia pas përmbytjeve