Pedagogu Ervin Karamuço shpjegoi në studion e “Abc Live” se grupet satanike janë shtuar shumë në Shqipëri duke marrë shpesh edhe jetë njerëzish përmes sakrificës apo çuarjes së anëtarëve të tyre drejt vetësakrificës.
Profesori i Kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë tha se Shqipëria nuk ka ende ligj që ndalon apo ndëshkon aktivitete satanike ç’ka e ka bërë vendin një parajsë për këto rite.
Duke publikuar edhe një video të xhiruar në një prej plazheve të Shqipërisë teksa thotë se bëhet fjalë për ritin e vrasjes së një qeni, në video duket një person pranë bregdetit në orët e vona të mbrëmjes ose në kohë muzgu që mban në duar një qen dhe përpiqet ta mbysë. Ndërkohë persona të tjerë që qëndrojnë në distancë prej tij e filmojnë.
Karamuço tha se kohët e fundit janë vërejtur edhe fenomene të çuditshme nëpër varreza.
Ai renditi varrezat e Durrësit dhe të Shkupit ku janë kryer rite satanike, por ndryshe nga Shqipëria, në Maqedoninë e Veriut personat që e kanë bërë këtë janë ndëshkuar.
“Këto rite bëhen kryesisht në ritet e vona të natës dhe në vende të ndryshme, përfshi edhe varrezat. Ka njerëz që përmes magjisë së zeze duan të ndikojnë në botën e përtejme në shpirtrat e personave që kanë urryer apo që i kanë dashur duke i dërguar sipas tyre në ferr apo duke i rikthyer ata që kanë dashur. Pak kohë më parë mësuam se një rit satanik ishte bërë në varrezat e Durrësit. Sëfundmi kemi patur edhe një rast në varrezat e Shkupit”, tha Karamuço duke theksuar se sektet satanike bëjnë rite të ndryshme.
