Rrëfehet kunati i Kadri Hazbiut: Enveri e goditi për t’u justifikuar për Mehmetin, Ramiz Alia…

Shqipëria është një nga ato pak vende ku komunizmi hodhi rrënjë të thella dhe u rrit nën tensionin e pashembullt të një sistemi të egër e të pamëshirshëm politik fund e krye.

Ky regjim e izoloi Shqipërinë për gati 50 vite nga pjesa tjetër e botës, nga bota perëndimore. Sigurimi i shtetit, kishte shtrirë sundimin e tij në 26 rrethet e Shqipërisë duke mbuluar kontrollin politik dhe censurën në të gjithë hallkat e pushtetit komunist; në arsim, kulture, sport dhe ekonomi. Fate njerëzish, histori, ngjarje të bujshme dhe të panjohura prej një të kaluare jo fort të largët, ende na rrinë mbi kokë si fantazma të së shkuarës. Kujtesa historike dhe mënyra si ne e trajtojmë atë, është gjithçka na duhet për t’u ndarë njëherë e mirë me të kaluarën. Agron Aranitasi, dhëndri i Kadri Hazbiut, ish-ministri i brendshëm në fillim të viteve ’80, rrëfen në Exclusive të vërtetat e tij mbi historitë famëkeqe në bllokun komunist.

Edhe pse pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha e shpalli si Kryeministrin e ri, Kadri Hazbiu, një nga njerëzit më të besuar të regjimit komunist, ai u mënjanua shpejt, u përbalt dhe u arrestua, derisa e vranë pas shpine brenda në qelinë e tij. Si e gëlltiti babain e Sigurimit të Shtetit, makineria që vetë ndërtoi, debatet e forta me Enver Hoxhën dhe përse ai nuk ishte aspak ashtu sic u quajt mes intrigave për pushtet, Jago i oborrit shekspirian.

Pjesë nga intervista

Monika Stafa: Përse u dënua Kadri Hazbiu? Cilat ishin akuzat kundër tij?

Agron Aranitasi: Kadri Hazbiu është tjetër figurë. Kadri Hazbiu shkoi në luftë. Origjina e Kadri Hazbiut është familje agallarësh, të pasur, kanë pasur gati 500 hektarë tokë, dhenë pafund. I ati i tij është një nga komandantët e luftës së Vlorës dhe është dekoruar me Nderi i Kombit nga Presidenti Nishani… Ai ka përgjegjësinë e vet dhe atë përgjegjësi nuk e analizoj unë, atë do ta analizojnë historianët. Në paraqitjen e tij të zakonshme ai ishte masovik dhe Enver Hoxha në momentin që po dënon në plenium kur thotë ‘kishte nevojë Mehmet Shehu për njerëz, njerëz ashtu, njerëz kështu, njerëz të butë, njerëz që të marrin me të mirë, njerëz që të respektojnë, që të hedhin krahun, etj’. Ai ishte i tillë. Ai ka folur gjëra shumë interesante në periudhën kur ka ndenjur në shtëpi, nën arrest shtëpiak po e quajmë. Domethënë goditja e tij ka filluar në shtator të vitit 1982, ka filluar në datë 20 shtator në një mbledhje të pleniumit, të sekretariatit të komitetit qendror. Kadri Hazbiu ishte sekretar i komitetit qendror në vend të Mehmet Shehut, hoqën Mehmetin, futën Kadriun. Në atë mbledhje e akuzuan për bashkëpunim me sovjetikët, me KGB, iu ke dhënë sekrete, iu ke dhënë agjenturën tonë, etj., në libër i ke të shtjelluara. Prandaj thashë është një fat i madh i Hekuranit që nuk i ka zhdukur ato dosje, nuk ka zhdukur dosjen operative të Kadri Hazbiut, dosja formulare ose operative, ajo dosja brenda ka shumë dokumenta të firmosura nga Enver Hoxha. Dhe ai thotë edhe në gjyq, unë kam ndjekur ligjin e partisë dhe nuk e ka shkelur ligjin e partisë, në të mirë e në të keq, nuk e ka shkelur. Dhe ato më kanë ndihmuar mua të kuptoj që akuzat ishin të stisura. Se i kanë bërë shumë akuza, për të torturuar e kanë torturuar, është nga të paktit që nuk ka pranuar asnjë gjë.

Monika Stafa: Pse ka dashur ta godasë?

Agron Aranitasi: Unë them për dy arsye. E para, ka dashur të justifikohej për Mehmet Shehun, 27 vjet kryeministër, 8 herë e ka propozuar për kryeministër Mehmet Shehun. Por tani doli Mehmeti armik. Ta thashë unë nuk e besoj akuzën që ai mund të dënonte Mehmetin, ai dënoi Mehmetin e vdekur, por jo Mehmetin e gjallë. Sa qe gjallë Mehmeti ia thonte fjalën, po i thonte shoku Mehmet, partia do të të ndihmojë. Në momentin që mori vesh që ai vrau veten, ai bëri tërë ato gjëra për Mehmet Shehun, tha tërë ato fjalë për Mehmet Shehun. Arsyeja e parë është si do justifikohej para popullit për Mehmet Shehun. Arsyeja e dytë, Mehmeti iku, ngeli Kadriu, nuk çante dot Ramiz Alia para Kadri Hazbiut. Ramiz Alia ishte njeri me naftalin, i mbajtur në sirtar, nuk kishte as lidhje me popullin, asnjë gjë fare. E mori Shqipërinë, e patë se si e bëri. Thonin njerëzit që është i butë, nuk ka krime në kurriz etj., tani kur flasim për krimet, vendimet merreshin në byro politike, ai ishte zë shumë i madh në byro. Por flasim për më vonë, kur drejtoi Shqipërinë. Sa u vranë në kufi dhe kur u vranë? Kur ai deklaroi që arratisja nuk është më krim kundër shtetit, është kundravajtje administrative.