Rama: Kush i jep fëmijës një telefon, i jep një “rrugaç për shok”

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në shkollën “Janaq Kilica” për të vijuar takimet këshilluese me prindërit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.

Ai u shpreh se t’i japësh fëmijës një telefon, është njëlloj si ta lësh të shoqërohet me ‘rrugaçin e lagjes”.

“Në momentin që i jep fëmijës telefonin dhe nuk e kontrollon se është edhe pjesa e kontrollit, mendoj që prindërit kur fëmijës i blejnë një telefon i kanë dhënë një “rrugaç për shok”. Këto rrjete sociale edhe pse për shkak të detyrës i përdor siç i përdorin gjithë të tjerë, por kështu e shoh telefonin në dorën e fëmijëve, por sidomos të adoleshentëve si një “rrugaç që ia ke dhënë për shok”. Problemi tjetër është që nga pikëpamja teknike këto janë të pandalueshme plotësisht, edhe sikur të duash. Australia para dy ditësh kaloi ligjin e parë në botë që ndalon të gjitha rrjetet sociale për fëmijët deri në 16 vjeç. Por kanë mekanizmin se si ndalohet, megjithatë ndalimi është i mundur në një pjesë shumë të madhe. Një ulje e rëndësishme e fëmijëve që mund të kenë akses është i mundur, por kjo nuk është zgjidhja, kjo është një nga shumë elementët e lehtësimit, sepse mendoj se kështu si po shkon teknologjia një element ndalimi nuk ka. Asgjë nga këto nuk heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi i të rriturve dhe fëmijëve në familje, dhe më pas vjen ndërveprimi mes familjes dhe shkollës; dhe vjen gjitha hapësira tjetër që ka rëndësi”, tha ai.