Ernest Merdanaj vijon serinë e rezultateve fantastike në arenën ndërkombëtare të taekwondosë, teksa suksesi më i fundit i tij vjen nga Kampionati Ballkanik që u zhvillua në Rumani.
Kampioni kuqezi fitoi medalje ari në kategorinë e peshave -58 kg për të rritur, duke treguar formë të shkëlqyer në këtë aktivitet. Merdanaj triumfoi ndaj rivalëve nga Serbia, Turqia dhe Kosova, për të merituar shkallën më të lartë të podiumit. Përveç medaljes së artë në peshën e tij, Merdanaj u shpall gjithashtu edhe sportisti më i mirë i kompeticionit.
Në rang moshash, Shqipëria fitoi gjithashtu medalje ari në Ballkanik edhe me Ibrahim Hidrin, i cili dominoi në kategorinë junior për peshat -78 kg. Si Merdanaj gjithashtu edhe Hidri janë sportistë të Tiranës, ekip që drejtohet nga trajnerja Arjola Kasaj.
Kjo e fundit u vlerësa me çmimin e trajneres më të mirë të Ballkanikut. Medalje bronzi edhe nga Kidlin Kasaj për peshat -51 kg, i cili edhe pse e kishte garën e parë me këtë grupmoshë, arriti të bëhej pjesë e podiumit.
Ndërkohë bilanci total i Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Taekwondosë ishte me 10 medalje të fituara: 2 të arta, 2 të argjendta dhe 4 të bronzta.