Rama: Jo kontroll telefonave pa vendim gjykate, provat jashtë autorizimit digjen!

TIRANË — Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale do t’i vendosin kufij të prerë kontrollit të pajisjeve elektronike nga organet e hetimit.

Deklarata u bë sot nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës ligjore. Ai e cilësoi telefonin personal jo thjesht si një mjet komunikimi, por si arkiv të të gjithë jetës së një njeriu.

Sipas kreut të qeverisë, policia dhe prokuroria do të kenë të drejtë vetëm të sekuestrojnë mjetin.

Për çdo ndërhyrje, hapje, kopjim apo përpunim të të dhënave, do të kërkohet me detyrim një autorizim i posaçëm nga gjykata.

Vendimi gjyqësor do të përcaktojë saktësisht aplikacionet, kategorinë e të dhënave dhe periudhën kohore që mund të ekzaminohet.

Paralelisht, çdo e dhënë e marrë jashtë këtij kuadri autorizimi do të shpallet e papërdorshme në proces.

E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për transkriptimin e përgjimeve. Qëllimi është parandalimi i presionit apo përdorimit të jetës private si produkt konsumi mediatik.

Edi Rama: “Telefoni nuk është thjesht mjet komunikimi, por arkiv i jetës së një njeriu. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë një leje e pakufijshme për të lexuar dhe parë gjithccka që përmban. Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen por për ta hapur, kopjuar apo përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim nga gjykata. Me vendim gjykate përcaktohet pajisja, kategorinë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Ccdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme. E njëjta logjikë përdoret për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm përgjimet që lidhen me hetimet. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale smund të kthehet në instrument presioni apo produkt konsumi mediatik.”

Për më shumë detaje dhe kontekst mbi vendimet gjyqësore rreth kësaj çështjeje, mund të ndiqni edhe videon Vendimi i GJK-së, zbardhen kufizimet për sekuestrimin e telefonave, ku shpjegohen kufizimet ligjore që i vendosen sekuestrimit të aparateve celulare gjatë hetimit.