Goditet rrjeti i shpërndarjes së kanabisit në Elbasan. Kapen blerësit me armë, tregtari ia mbath

ELBASAN — Operacioni policor i koduar “Shitblerja” ka goditur një vatër të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit, duke sekuestruar mbi 1 kilogram kanabis, armë dhe shuma parash të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Aksioni i ndërmarrë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë, është përqendruar në banesën e 40-vjeçarit me iniciale K. N. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram e 130 gramë kanabis sativa (një pjesë e ndarë në doza gati për shitje), një peshore elektronike, një armë gjahu pa leje, si dhe 71 700 lekë dhe 100 euro. Poseduesi i drogës nuk ndodhej në banesë gjatë ndërhyrjes dhe është shpallur menjëherë në kërkim.

Gjatë operacionit rreth banesës, policia ra gjithashtu në gjurmët e dy klientëve. Shtetasi B. D., 37 vjeç, u kap pranë banesës me një armë të ftohtë (thikë) me vete teksa shkonte për të blerë doza, ndërsa 20-vjeçari me iniciale A. S. u kap me një sasi kanabisi të blerë më parë nga 40-vjeçari në kërkim. Të dy këta shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.