Librazhd, 24 prill 2025 – Shërbimet e Policisë në Librazhd kanë parandaluar një ngjarje kriminale dhe kanë arrestuar në flagrancë një 42-vjeçar, i cili ka qëlluar me armë gjahu gjatë një konflikti për motive pronësie me fqinjin e tij.
Në kuadër të veprimeve të menjëhershme, Policia ka arrestuar shtetasin S. Xh., 42 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu në ajër për të kanosur shtetasin H. Xh., 80 vjeç, gjatë një mosmarrëveshjeje për çështje pronësie në fshatin Gizavesht. Nga të shtënat, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Në vendngjarje, Policia ka sekuestruar si prova materiale armën e gjahut, së bashku me një sasi municioni luftarak, të cilat po i mbante dhe i përdorte pa leje.
Veprimet e shpejta operacionale të Policisë kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale dhe kanë çuar në arrestimin e autorit. Materialet procedurale për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.
