25 September, 2025
Në këtë moment ai ka njoftuar policinë, e cila pas ekspertizës së grupit hetimor ka zbuluar në trupin Beqirajt shenja dhunë si dhe plagë të shkaktuara me thikë.
DURRËS- Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 51-vjeçarit mbrëmjen e kaluar në Durrës. Mësohet se Valbon Beqiraj është gjetur i pajetë nga nipi i tij në banesë mbrëmjen e kaluar. Në këtë moment ai ka njoftuar policinë, e cila pas ekspertizës së grupit hetimor ka zbuluar në trupin Beqirajt shenja dhunë si dhe plagë të shkaktuara me thikë.
Autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar se cilët janë, ndërkohë që hetimet për të zbardhur ngjarjen po vijojnë.
Njoftimi i Policisë:
Durrës Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës. Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në banesë, është gjetur pa shenja jete shtetasi V. B., alias M. B., rreth 51 vjeç.
Nga ekspertiza paraprake mjekoligjore e kryer nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës (thikë), si pasojë e të cilave dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën.
Përgjatë natës dhe aktualisht, grupi i posaçëm hetimor ka kryer dhe është duke kryer një sërë veprimesh të thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në përfundim të veprimeve, do të ketë një njoftim të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje.
