Në Bashkinë Belsh janë dorëhequr 6 këshilltare bashkiake në harkun kohor të 4 muajve: Aurela Hysa, Klodiana Zdrava, Enkeleda Kullolli, Irma Elezi, Ervina Meta dhe Romina Mema. Ato janë drejtuar njëra pas tjetrës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke braktikur karrigen e këshillit bashkiak. Ato janë të gjitha të Partisë Socialiste, dhe të pyetura përmes telefonit se pse e kanë marrë këtë vendim, përgjigjia është e njëjtë: Për arsye personale. “Kisha arsyet e mia,”-tha Irma Elezi, një nga zonjat e tërhequra. Por i njëjtë është edhe reagimi pasi i pyesim nëse ndonjë burrë që aspiron këtë vend në Këshill, është duke ndikuar tërheqjen e tyre: heshtin.
Nertila Uruci, këshilltare e opozitës në Belsh, e angazhuar pranë Aleancës së Këshilltarëve Vendorë, tha se këto zonja që dorëhiqen, nuk vijnë nga politika aktive. “Ato nuk merren me politikë. Burrat e tyre janë të angazhuar në parti, por meqë burrat nuk mund të jenë të gjithë në listë, për hir të kuotave, kandidojnë gratë, dhe fushatën e bëjnë vetë ata. Në këto kushte, gratë nuk ndihen komode me realitetin e përballjes politike në këshill”,-tha Uruci.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po paraqiten zinxhir një sërë dorëheqjesh nga këshilltaret bashkiake të cilat u shpallën fituese më 14 maj. Dorëheqjet janë njëra pas tjetrës dhe cuditërisht ato frenojnë sapo mandatin e merr një burrë. Sipas të dhënave në KQZ, janë të paktën 20 raste të tilla të cilat ngrenë dyshimin e arsyeshëm se braktisja e mandateve dhe mospranimi i marrjes së karriges në këshillin bashkiak janë të ndikuara nga trysnia e kandidatëve burra që insistojnë të përvetësojnë këto poste, duke përdorur metoda të ndryshme.
Ky fenomen bashkon të gjithë faktorët politikë në vend, Partinë Socialiste, Koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe Partinë Social Demokrate.













