Propozimi se Belshi mund ti bashkohet Cërrikut kalon pa reagime ndryshe nga Prrenjasi

Bashkia Belsh është një tjetër njësi vendore e Qarkut Elbasan që pritet të përfshihet në riorganizimin e hartës administrative, me mundësinë e bashkimit me Bashkinë Cërrik në kuadër të diskutimeve për reformën e re territoriale.

Ndryshe nga raste të tjera ku propozimet për bashkime kanë sjellë reagime nga banorët, përfaqësuesit vendorë apo grupet e interesit, në Belsh deri tani nuk ka pasur një reagim të gjerë publik kundër kësaj mundësie. Nuk rezultojnë peticione, protesta apo deklarata zyrtare nga komuniteti që të kundërshtojnë një bashkim të mundshëm me Cërrikun.

I vetmi reagim i bërë publik ka ardhur nga nenkryetarja e Këshillit Bashkiak të Belshit Nertila Uruci perfaqesuese e PD, e cila ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj idesë së shkrirjes së bashkisë. Sipas saj, ruajtja e identitetit të Belshit si njësi më vete është e rëndësishme për shkak të specifikave të zonës, zhvillimit turistik dhe nevojës që vendimmarrja të mbetet pranë komunitetit.

Belshi, i cili pas reformës administrative-territoriale të vitit 2014 u krijua si bashki më vete duke bashkuar disa njësi administrative, vitet e fundit ka investuar në promovimin e turizmit natyror, veçanërisht për shkak të zonës së Liqeneve të Belshit. Përfaqësues vendorë kanë argumentuar më herët se kjo autonomi ka ndihmuar në orientimin e investimeve dhe zhvillimin lokal.

Ndërkohë, nëse reforma e re territoriale do të çojë në bashkimin e Belshit me Cërrikun, mbetet për t’u parë nëse komuniteti do të kërkojë të dëgjohet gjatë fazës së konsultimeve publike.

Për momentin, ndryshe nga zona të tjera të qarkut ku debati ka qenë më i fortë, në Belsh diskutimi për një ndryshim të mundshëm të kufijve administrativë ka kaluar pothuajse pa zë publik.