
Kanë nisur punimet për një projekt të diskutueshëm që synon të krijojë nga e para blloqet ndërtuese të jetës njerëzore në mënyrë sintetike, në atë që besohet të jetë i pari në botë, shkruan BBC.
Studimi deri më tani ka qenë tabu për shkak të frikës se mund të çojë në “fëmijë të projektuar” ose ndryshime të paparashikuara për brezat e ardhshëm.
Por tani, organizata bamirëse më e madhe mjekësore në botë, Wellcome Trust, ka premtuar një shumë fillestare prej 10 milionë paundësh për të nisur projektin dhe thotë se ka potencialin të bëjë më shumë mirë sesa dëm, duke përshpejtuar trajtimet për shumë sëmundje të pashërueshme.
Dr. Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare MRC në Kembrixh, i cili është pjesë e projektit, deklaroi se “ai përfaqëson hapin e madh të radhës përpara në biologji”.
Qëllimi afatgjatë është që përmes këtij kontrolli të ri mbi strukturën e ADN-së të kuptohet më mirë roli i gjeneve dhe të krijohen trajtime të synuara për sëmundje që aktualisht nuk kanë shërim.
“Qielli është limiti. Ne po shqyrtojmë terapi që do të përmirësojnë jetën e njerëzve ndërsa plaken, që do të çojnë në plakje më të shëndetshme dhe më pak të sëmura ndërsa plaken.
Ne po përpiqemi ta përdorim këtë qasje për të gjeneruar qeliza rezistente ndaj sëmundjeve që mund t’i përdorim për të ripopulluar organet e dëmtuara, për shembull në mëlçi dhe zemër, dhe madje edhe në sistemin imunitar”, theksoi dr. Julian Sale.
Por kritikët kanë frikë se studimi u hap derën studiuesve të paskrupullt që kërkojnë të krijojnë njerëz të përmirësuar ose të modifikuar.
“Na pëlqen të mendojmë se të gjithë shkencëtarët janë aty për të bërë mirë, por shkenca mund të ripërdoret për dëm dhe për luftë”, deklaroi Dr. Pat Thomas, drejtor i grupit të fushatës Beyond GM.
“Shkenca nuk është gjithmonë neutrale. Ekziston rreziku që kjo teknologji të përdoret për qëllime të tjera, përfshirë armë biologjike ose krijimin e njerëzve të ‘përmirësuar’ gjenetikisht.”
Edhe profesorë të tjerë, si Bill Earnshaw nga Universiteti i Edinburgut, shprehen se kufizimet aktuale ligjore dhe etike mund të mos jenë të mjaftueshme për të ndaluar entitete me synime të dyshimta.
Për të përballuar këto shqetësime, një program paralel i kërkimit social dhe etik do të drejtohet nga sociologia Prof. Joy Zhang në Universitetin e Kentit. Ky program do të mbledhë mendimet e publikut dhe ekspertëve mbi ndikimet potenciale të projektit.
Dr. Tom Collins nga Wellcome Trust, i cili dha miratimin për financimin, tha për BBC News:
“Kjo teknologji do të zhvillohet një ditë, me apo pa ne. Qasja jonë është ta bëjmë këtë tani, në mënyrën më të hapur dhe të përgjegjshme të mundshme.”
Ky zhvillim vjen në 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili për herë të parë hartëzoi të gjithë ADN-në njerëzore. Projekti i ri synon të shkojë përtej kësaj, jo vetëm ta lexojë kodin e jetës, por ta krijojë atë nga e para.
Çdo qelizë në trupin tonë përmban një molekulë të quajtur ADN që mbart informacionin gjenetik që i nevojitet. ADN-ja përbëhet vetëm nga katër blloqe shumë më të vogla, të quajtura A, G, C dhe T, të cilat përsëriten vazhdimisht në kombinime të ndryshme.
