PROFIL/ Nga burgu te betejat brenda PS, karriera dhe JETA politike e Fatos Nanos!

Ka ndërruar jetë këtë të premte, 31 tetor, ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano.

Ish-kreu i Partisë Socialiste, 73 vjeç, ndodhej në reanimacion prej gati 1 muaji, në një spital në kryeqytet.

Nano u shkëput nga politika në vitin 2005 dhe ka qenë kryeministër gjatë viteve 1991, 1997-1998 dhe 2002-2005. Ai ishte themeluesi i Partisë Socialiste dhe kreu i parë i saj.

Kush ishte Fatos Nano, “arkitekti” i Partisë Socialiste:

Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë tre herë. Ndërsa për 13 vjet, ishte kryetar i Partisë Socialiste.

Nano e mbajti detyrën e kryeministrit nga 29 shtator 2002-1 shtator 2005, 25 korrik 1997-27 shtator 1998, 22 shkurt 1991-4 qershor 1991. Ndërsa si kryetar i Partisë Socialiste ai e mbajti këtë detyrë nga 12 qershori 1991 deri më 3 korrik 2005.

Fatos Nano e nisi karrierën e tij politike në vitin 1991, pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit, me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatiste vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet e 31 marsit 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh, ai u detyrua të jepte dorëheqje. Atë vit, ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në mars të vitit 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas, Fatos Nano u burgos, pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë postkomuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte pasojë e opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.

Gjatë vitit 1994, skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur, të nxitur nga opozita kundër qeverisë, me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha.

Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Berisha dha dorëheqjen dhe Kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin. Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon.

Në shtator të vitit 1998, vrasja e Azem Hajdarit çoi në një revoltë popullore dhe e detyroi Fatos Nanon të jepte dorëheqjen. Fatos Nano u gjykua i pafajshëm nga një gjykatë në Tiranë ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.

Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë Kryeministër për të tretën herë në korrik 2002, i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Më 3 korrik 2005, Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Partia Demokratike fitoi shumicën dhe kryetari i saj, Sali Berisha, u emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005, Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.

Nano kërkoi të zgjidhej si president më 8 korrik 2007, pas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu. Shumica e deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Partia Socialiste, nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet.

Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.

Fatos Nano studio në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë).

Në vitin 1975, kreu specializimet për Ekonomi Politike. Në vitin 1983, me vendimin nr. 81, datë 23 shtator 1983, të Universitetit të Tiranës, mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000, titullin “Profesor Doktor” në fushën e ekonomisë.

Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali), në vitin 2000, u dekorua me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit, dhe po në këtë vit, mori titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).