Policia shpëton 59-vjeçaren nga lumi, transportohet në spital në gjendje të rëndë

Një 59-vjeçare është shpëtuar nga forcat e policisë në Shkodër, pasi tentoi të vetëmbytej në ujërat e lumit Buna.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:30, në Sallën Operative është marrë informacion se një shtetase ishte hedhur në lumë.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë duke hyrë në ujë, çka bëri të mundur nxjerrjen e 59-vjeçares me shenja jete, por në gjendje të rëndë shëndetësore.

Efektivët i kanë dhënë ndihmën e parë në vend, ndërsa më pas ajo është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Shkodër, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes.