Policia Elbasan identifikon tre të miturit që dyshohet se dogjën ish-shkollën në lagjen ‘Kala’

Elbasan – Policia ka identifikuar dhe proceduar penalisht tre të mitur, të cilët dyshohet se shkaktuan zjarrin që përfshiu një magazinë jofunksionale në lagjen “Kala”, më 16 mars 2025.

Pas njoftimit për djegien e magazinës, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga veprimet hetimore rezultoi se zjarri ishte shkaktuar nga tre të mitur, dy 17-vjeçarë dhe një 14-vjeçar, të cilët kishin ndezur zjarr për t’u ngrohur, por për shkak të pakujdesisë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në ambientet e magazinës, duke shkaktuar dëme materiale.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, ndërsa shërbimet zjarrfikëse ndërhynë në kohë për të lokalizuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre.

Për tre të miturit ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, ndërkohë që hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.