Elbasan, 2 qershor 2025 – Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore dhe aktet e dhunës.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin S. A., 37 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u nis procedimi penal ndaj shtetasit M. P., banues në Maqedoninë e Veriut, i cili në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas” u përfshi në një aksident me mjetin e drejtuar nga F. M., 42 vjeç, banues në Prrenjas. Nga përplasja u lënduan lehtë F. M. dhe një pasagjere në mjetin e M. P.
Në një rast tjetër, një 12-vjeçar nga fshati Karinë po drejtonte një motomjet pa leje drejtimi, kur humbi kontrollin dhe pësoi dëmtime të lehta pas rrëzimit.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal për shtetasit A. I., 25 vjeç, një 16-vjeçar, si dhe shpallën në kërkim A. F., 42 vjeç. Të tre këta shtetas, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit Th. N., 54 vjeç, dhe A. B., 50 vjeç, si dhe kanë dëmtuar automjetin në përdorim nga Th. N.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
