Policët e shtrirë ose pengesat e shpejtësisë janë vendosur në shumë akse rrugore të qytetit të Elbasanit dhe në shumicën e rasteve janë të nevojshëm pasi ngadalësojnë shpejtësinë e automjeteve dhe ulin mundësinë për aksident. Rast të vecantë përben rruga “28 nëntori” e njohur ndryshe edhe si rruga e spitalit e cila të con drejt qëndrës spitalore “Xhaferr Kongoli”
Kjo rrugë ka nisur kohët e fundit të ketë një fluks të madh automjetesh pasi është kthyer në dy sense kalimi. Kalimin e vështirëson jo vetëm fluksi I automjeteve, por edhe pengesat e vendosura përgjatë rrugës të cilat bëhen shkak për vonesat e autoambulancave. Vec vonesës të sëmurët do duhet të përballen edhe me tronditjet që shkaktojne këto pengesa.
Sipas qytetarëve pengesat që janë vendosur janë të nevojshme, por autoambulancave I nevojitet një korsi emergjence.
“Autoambulancave I duhet rrugë e vecantë që të kalojnë lirshëm. Ndodh shpesh të mos I hapet rruga ambulancës ndaj duhet një korsi emergjence”- shprehen për elbasanion qytetarë të rastit.
Ky shqetësim është ngritur edhe nga intelektualë të qytetit pasi përbën një problem që patjetër duhet të marrë zgjidhje.
Policët e shtrirë ose pengesat në rrugë vendosen nga bashkia. Me ligj është që ato të jenë zgjidhje për ngadalësim të shpejtësisë pranë shkollave për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të shoferëve që nuk zbatojnë tabelat pranë këtyre institucioneve.
