Po transportonte një pacient, ambulanca përplaset me një mjet, disa të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur pranë Shkëmbit të Kavajës, ku një autoambulancë është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar disa të plagosur. Në momentin e aksidentit, brenda autoambulancës ndodhej një grua 64-vjeçare nga Berati, e cila po transportohej për në spital, e shoqëruar nga një i afërm dhe infermieri.

Si pasojë e përplasjes, të tre personat kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me një autoambulancë tjetër për të marrë ndihmë mjekësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërkohë që në zonën e ngjarjes ka pasur trafik të rënduar për shkak të incidentit.

Hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit janë ende në vazhdim.