Plagosje me thikë në Peqin, dy të rinj shpallen në kërkim pas të shtënave në ajër

Një konflikt për motive të dobëta në qytetin e Peqinit ka përfunduar me plagosje të lehtë, procedim penal dhe shpallje në kërkim të dy të rinjve që dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht shtetasin E. Sh., 20 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas dyshohet se ka plagosur lehtë me mjet prerës (thikë) shtetasin A. T., 49 vjeç, gjatë një konflikti të çastit.

Ndërkohë, shtetasi A. T. është proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasi dyshohet se nuk ka njoftuar autoritetet për ngjarjen.

Pas këtij konflikti, dy djemtë e A. T., shtetasit G. T., 26 vjeç, dhe O. T., 21 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, në afërsi të banesës së shtetasit E. Sh. Ata janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.