Elbasan – Një 33-vjeçar u arrestua nga Policia, pasi plagosi me thikë një shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Vullnetari”, ku pas një debati verbal, autori i dyshuar, B. S., 33 vjeç, banues në Elbasan dhe me precedent penal për vjedhje, goditi me mjet prerës shtetasin S. D., 52 vjeç.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, autori u identifikua dhe u vu në pranga pak orë pas ngjarjes.
I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme, në ngarkim të 33-vjeçarit, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.













