Plagosi një 15-vjeçar në një piceri në Tiranë, arrestohet 21-vjeçari Aldo Neziri

Tiranë, 3 qershor 2025 – Policia e Tiranës ka arrestuar sot Aldo Nezirin, 21 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së një kamarieri të mitur në rrugën “Ali Demi”. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një piceri të zonës, ku 15-vjeçari mbeti i plagosur pas një konflikti që degjeneroi në përdorim armësh.

Neziri akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas hetimeve intensive është lokalizuar dhe vënë në pranga nga efektivët e policisë.

I mituri ndodhet ende nën kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai është jashtë rrezikut për jetën, por do të vazhdojë trajtimin për shkak të natyrës së plagëve të marra.

Policia ka sekuestruar edhe armën e dyshuar të krimit dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.