Plagosi me thikë bashkëshorten/ Bie në pranga 48-vjeçari në Malësinë e Madhe

Mbrëmjen e djeshme, policia ka arrestuar një 48-vjeçar në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe, i cili ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij.

Shtetasi A. Z., dyshohet se e ka bërë veprimin për motive të dobëta ndërsa bashkëshortja e tij 38-vjeçare aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Dëmtoi me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, bashkëshorten e tij, vihet në pranga 48-vjeçari. Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se një shtetas kishte dëmtuar me mjet prerës, bashkëshorten e tij, në banesën e tyre në fshatin Grizhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, me qëllim arrestimin e këtij shtetasi. Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi A. Z., 48 vjeç, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij 38 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën”, sipas policisë.Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.