Plagosi me armë zjarri në Institut Marilen Jatën mbrëmjen e së dielës! Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin, qëlloi 40-vjeçarin dhe u ‘zhduk’ nga vendngjarja

TIRANA- Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e plagosjes me armë të 40-vjeçarit Marilen Jata, ngjarje që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Institutit, në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të bluve, personi i dyshuar është F. F., 36 vjeç, i cili dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Jatës, duke e plagosur në këmbë rreth orës 22:20.

Burimet për mediat bëjnë me dije se dy të njohurit kanë qenë shokë më herët, por prej tre muajsh nuk kishin më komunikim. Sipas të njëjtave burime, mbrëmjen e së dielës, sapo Jata ka hyrë në rrugicën “Ramadan Çitaku”, autori i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar, ndërsa më pas është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Njoftimi:

Tiranë/ Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimit ndaj Pronës dhe Jetës, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Ramadan Citaku”, një shtetas kishte plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M. J., 40 vjeç, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit F. F., 36 vjeç, i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 22:20 të mbrëmjes së djeshme, plagosi me armë zjarri në këmbë shtetasin M. J. Ky i fundit ndodhet në spital, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit F. F dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.