Shkozë, 18 maj 2026 – Një punonjës policie, Anxhelo Kumaraku, është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Shkozës. Ai është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, 30-vjeçari ka marrë plagë në këmbë.
Dyshohet se Kumaraku, i cili është agjent në Komisariatin e Policisë Nr. 4, mund të ketë qenë i përfshirë në një konflikt personal.
Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po kryen kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit. 30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve. Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”
Policia apelon për kujdes dhe bashkëpunim nga qytetarët për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.













